Connect with us

Business

30 mijë klientë të MCA dhe Final, BSH apel qytetarëve të ruajnë mandat pagesat

Avatar of admin

Published

on

30 mijë klientë të MCA dhe Final, BSH apel qytetarëve të ruajnë mandat pagesat


30 mijë klientë kredimarrës të dy kompanive MCA dhe Final janë në pritje të vendimmarrjes lidhur me detyrimet që ata kanë.

Drejtori i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, ka sqaruar sakaq se si do të vijohet më këta klientë

“30 mijë janë klientët e MCA dhe Final. 90 për qind e tyre kanë një titull ekzekutiv dhe janë në procedurë përmbarimore. Të tjerët janë pjesë e rishikimit nga ana jonë nëse ata ankohen apo bëjnë një kërkesë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas tij, apeli që vlen është që këta individë të ruajnë mandat-pagesën, pasi mund të jetë e vlefshme në një moment të dytë, nëse do të duan të rishikojnë kushtet e kredisë.

“Ndërsa ata që kanë një titull ekzekutiv, i sugjerojmë që t’i drejtohen organeve kompetente të drejtësisë, në rast se mendojnë se detyrimet e tyre janë kalkuluar në mënyrë abuzive”, ka shtuar ai.

Në çdo rast, sipas tij, detyrimet do të paguhen rregullisht në llogaritë bankare të këtyre institucioneve.

Mirëpo banka qendrore është në negociata me bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që këto kredi të rikthehen në orgjinë.

“Bankat nuk janë të detyruara që t’i rimarrin. Por mendoj se ato kredi që kanë ecuri pozitive nuk ka arsye pse të mos i pranojnë. Ne jemi duke negociuar me ta”, ka treguar Deralla.

Ai ka shtuar se, teksa për ato kredi që janë dhënë nga dy kompanitë mbetet për t’jua parë se si do të shkojnë hetimet dhe vendimet që do të nxjerrë gjykata.

Banka e Shqipërisë pritet që në bashkëpunim dhe me bankën botërore do të hartojë një rregullore për mbrojtjen e konsumatorëve në këtë treg, ndërsa sugjerohet që ministria e Drejtësisë të shoh kuadrin ligjorë për përmbaruesit.

“Një nga hallkat që ka çaluar në këtë zinxhirë është sekuestrimi i pasurive ndaj debitorëve. Aktualisht nuk ka një kufi deri në çfarë niveli duhet të aplikohet sekuestrimi i pasurive, ndaj një individi që nuk paguan kredinë”, ka vijuar Deralla.

Skema e mashtrimit më kreditë nga dy institucionet financiare, i referohen kredive të dhëna 10-15 vite më parë.

Ndaj rritja e detyrimeve përtej një shume normale, i atribuohet vjetërsisë së tyre duke përfshirë në disa raste dhe abuzimet e kryera.

Mashtrimi me mikrokreditë

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka sekuestruar llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të dhjetë shtetasve dhe tre subjekteve financiare mikrokredi.

Kjo pasi ato u akuzuan për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara, rezultoi se, shtetasit A.M., K. S., E.I. dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet “Microcredit Albania” shpk dhe “Final” shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.

Prokuroria thotë se paratë lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.

Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: Arben Meskuti, Ernela  Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega, Andis  Gjoka, Vasil  Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Shtetasit në fjalë, kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4 % deri në 10.5 %.

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Policia e Shtetit më 23 maj, u sqarua ne personat e arrestuar, përmes disa shoqërive, morën 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej thuajse 7.3 milionë eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575 milionë e 842 mijë e 669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258 milionë e 687 mijë e 709.07 lekë.

Në termat e tanishëm, Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania” dhe se në vijim do të dalë me një njoftim të dytë për çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin.
Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com





Source link

Copyright © 2024