Connect with us

Entertainment

“Rritja e cilësisë së jetesës”, Bajrami – Muratit: Me çka Ministër, s’mund të qeverisni më me propagandë

Avatar of admin

Published

on

“Rritja e cilësisë së jetesës”, Bajrami – Muratit: Me çka Ministër, s’mund të qeverisni më me propagandë

Hykmete Bajrami, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se partia e propagandës, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), merret me raporte për perceptimin e jetëgjatësisë në kohën kur Kosova vazhdon të tkurret nga ikja e të rinjve.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Fb të titulluar “Rikujtim për mashtrimet e Qeverisë së Ministrit të dështuar të Financave”, duke iu kundërpërgjigjur kështu Hekuran Muratit, i cili, gjatë ditës, pretendoi se cilësia e jetës në Kosovë “është mjaft i mirë”, duke e bazuar në “jetëgjatësinë e pritur”.

“Derisa po tentojnë të mashtrojnë qytetarët se është rritur ‘cilësia e jetës në Kosovë’, partisë së propagandës po ia kujtoj se për gati katër vjet s’ka sjellë asnjë investim serioz të huaj; s’ka investime kapitale; s’ka rrugë të përfunduara siç i mashtronin qytetarët gjatë fushatës se brenda një viti do të përfundojnë rrugën për Podujevë, për Gjilan, për Mitrovicë etj”, shkroi Bajrami.

Ende, rikujtoi ajo, është i freskët dështimi i Qeverisë për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ka heshtje dhe miratim nga partia e mashtrimit dhe propagandës për Shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që koordinohet me [Milan] Radojiçiç-in”.

Sipas deputetes së LDK-së, duhet rikujtuar se shkaku i kësaj Qeverie, Kosova vazhdon të humbë qindra miliona euro nga sanksionet e BE-së.

“Partia e propagandës dhe mashtrimeve nuk ia solli asnjë njohje Kosovës për gati katër vjet keqqeverisje”, shtoi.

Qeveria, sipas saj, “po vazhdon që buxhetin ta ‘alokojë’ te dostat përmes tenderëve njëburimor”.

“Në krye të arsimit kemi një shkelëse të Kushtetutës. Kanë mashtruar që kanë premtuar ndërtimin e 160 çerdheve e ende s’i kanë ndërtuar as 10 prej tyre”.

Përveç këtyre, ish-Ministrja e Financave potencoi se qeveria “po vazhdon të ketë ndërhyrje flagrante në institucione të pavarura”, derisa shtoi se Vetëvendosje “po vazhdon t’i rehatojë militantët partiakë e familjarët. Nepotizmi ka arritur kulmin”.

Duke komentuar deklaratën e Muratit, të cilin e quajti “Ministri i mashtrimit”, për rritjen e cilësisë së jetës, Bajrami e pyeti atë se “çka” është bërë kjo, derisa ia shtoi edhe disa pyetje.

“Me rritje dyfish të çmimeve të produkteve ushqimore/rritje të varfërisë? Me rritje të çmimit të energjisë elektrike? Me investime zero në shëndetësi? Me investimet zero në ambient? Me investime zero në energji të ripërtritshme? Apo me rritje të korrupsionit?”, e pyeti.

Në prizmin e Bajramit, ka rrezik që Hekurani beson që Albin Kurti “edhe shpirtin e tij e të qytetarëve të këtij vendi e ka në dorë”.

“Jo, mashtrimet nuk kalojnë, me propagandë nuk mund të qeverisni më”, përfundoi ajo.

Cilësia e jetës në Kosovë është mjaft e mirë, shikoni jetëgjatësinë mesatare, thotë Murati  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Publish nuk lejohet pa përmendur burimin.
Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


supply

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copyright © 2024